Kuvendi i Kosovës e shtyu për të enjten seancën maratonë për rezolutën e paraqitur nga opozita për dialogun me Serbinë. Në këtë rezolutë kërkohet që presidentit Hashim Thaçi t’i ndalohet diskutimi për ndryshimin e kufijve. Debatet mes deputetëve nuk munguan gjatë ditës, por votimi i kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbetet larg.

Kryeministri Haradinaj u kërkoi deputetëve që në vend të parë të vihet interesi kombëtar. Edhe kryeparlamentari Veseli mbështeti mosdiskutimin e çështjes së kufijve. Por sipas tij, Thaçi duhet të kryesojë delegacionin e Kosovës në dialog. Ai bëri thirrje për një rezolutë të përbashkët, pikat e së cilës të jenë në përputhje me Kushtetutën e vendit.