Taulant Muka, mjeku dhe shkencëtari nga Durrësi, që u bë shkak për shkarkimin e Ervin Demos, nga posti i zv. ministrit të Arsimit, do të jetë ai që e merr këtë pozicion në Ministri.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, mjeku Taulant Muka, është emëruar zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Muka denoncoi plagjiaturën që Demo kishte bërë në një artikull me titullin “Universitetet dhe transferimi i teknologjisë”, i botuar në vitin 2011.

Akuzat publike bënë që Demo të jepte dorëheqjen nga posti i zëvendësministrit më 19 tetor të këtij viti.

“Është një material i kopjuar nga një tekst i huaj. Përveç plagjiaturës aty ka dhe probleme të tjera, nuk i ngjan një artikulli shkencor”.

Dy ditë pas kësaj deklarate, zëvendësministri i Arsimit Ervin Demo ka dhënë dorëheqjen.

Ndërkohë largimi i zëvendësministrit vjen vetëm pak ditë pas takimit që Taulant Muka zhvilloi me kryeministrin Edi Rama, ndërsa më herët ai kishte vënë në dijeni për rastin edhe Ministren e Arsimit Lindita Nikolla por edhe delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë.

Taulant Muka ka mbaruar shkollën e mesme në gjimnazin “Naim Frashëri” në Durrës dhe më pas ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë.

Muka ka vijuar studimet në Universitetet më të mira botërore dhe sot është një emër në rritje dhe po bën krenar Shqipërinë me arritjet e tij.