Numri i viktimave nga stuhitë e tmerrshme që kanë goditur Italinë ka shkuar në 11 persona njofton Autoriteti i Mbrojtjes Civile pasditen e kësaj të marte.
Në Itali, ku Venecia shënoi përmbytje thuajse rekord në histori dhe stuhitë goditën me erëra që arrinin deri në 180 km në orë, autoritetet njoftuan edhe 6 të vdekur të tjerë, pasi kishin konfirmuar vdekjen e 5 personave gjatë së hënës.
Disa jahte luksoze u shkatërruan në portin turistik Carlo Riva, në Rapallo, pranë Xhenovës, pas shembjes së një dige për shkak të presionit të jashtëzakonshëm të ujërave. “Ishte si një cunami”, tha një punonjës portual i tmerruar nga çfarë kishte parë.
Foto nga ajo çfarë ka lënë pas stuhia e frikshme kanë mbërritur pranë redaksisë së DurrësLajm nga emigrantë shqiptarë në Xhenova. Fatmirësisht, nga moti i keq që goditi Italinë, nuk ka shqiptarë të dëmtuar. Fotot dëshmojnë shkatërrimin e portit turistik dhe varkat që kanë mbetur në rrugë, të shtyra aty nga erërat dhe dallgët e frikshme.
Shembja e digës ka çuar në shkatërrimin e dhjetëra jahteve luksoze, barkave me vela e skafeve të ankoruara në port e përgjatë bregdetit.
Mjetet lundruese të shkatërruara i përkasin sipërmarrësve të njohur italianë e të huaj, e një prej tyre është super jahti i familjes së ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.
Komuna Rapallo është një nga qendrat turistike më të frekuentuara të bregdetit të Ligurias.