Një zyrë turistike shqiptare në qendër të Athinës është sulmuar me bomba molotov dhe mendohet që kjo ngjarje të jetë shënuar për shkak të vrasjes së minoritarit Kostandino Kaçifas, në fshatin Bularat nga shkëmbimi i zjarrit me policinë.
Sulmi ka ndodhur paraditen e djeshme, por mediat greke fillimisht nuk e kishin raportuar si ngjarje, ndërsa më pas bënë me dije se bombat e molotovit u hodhën në pjesën e përparme të kësaj zyre nga persona të paidentifikuar.
Policia e Athinës thotë se nuk ka persona të lënduar nga sulmi me bomba molotov, ndërsa janë forcuar masat e sigurisë në bizneset e dyqanet e shqiptarëve në Athinë, si dhe në ambasadën e konsullatën shqiptare.





