Në sajë të kontrolleve të befasishme në lokale, ambiente dhe në akset rrugore me qëllim kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo të ftohta si dhe për kapjen e personave në kërkim, Policia e Shkodrës ka arrestuar një person të shpallur në kërkim, i dënuar me 16 vite burg.
Nga burimet zyrtare mësohet se në një zonë të pyllëzuar në afërsi të banesës ka rënë në pranga shtetasi Dedë Lufaj, 48 vjeç, banues në fshatin Vuksanaj, Shkodër.
Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, me vendim nr. 155 (664), datë 18.02.2016 ka lënë në fuqi vendim nr. 565, datë 16.10.2017, nga Gjykata e Apelit Shkodër, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 16 vite burg për veprën penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” e “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga nenet 78/1-22 e 278/4 të Kodit Penal,
Ky shtetas me datë 04.07.2014 në lagjen Dedaj, fshati Vuksanaj-Shalë, Shkodër, ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të shtetasve N. L., Z. L. dhe Sh. L. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.





