Ditë të vështira e presin ministrin e ri të Brendshëm Sandër Lleshi, pas largimit të Fatmir Xhafës. Sindikata e punonjësve të Policisë së Shtetit është organizuar në një takim në Durrës ku kanë bërë me dije problematikat me të cilat ndeshen në punën e tyre të vështirë.

Pjesa më e madhe e punonjësve të Policisë së Shtetit varen nga paga që marrin, ndërsa kushtet e punës i kanë të vështira për shkak se janë këta njerëz që ndeshen ballë për ballë me kriminelët në çdo rast. Në kushte të mjerueshme janë edhe punonjësit e policisë së burgjeve që janë më të diskriminuarit e që punojnë në kushte mjaft të vështira.

Kështu shprehet drejtuesi i sindikatës së shërbimeve të policisë gjatë takimit të këshillit drejtues të zhvilluar në qytetin e Durrësit. Valentin Macaj kërkoi që të merren masa dhe të plotësohen kushtet që janë përcaktuar sipas ligjit, pasi punonjësit e policisë së burgjeve nuk kanë as kushtet minimale siç janë uniformat dhe dhënia e një vakti ushqimor gjatë orarit të punës.

Kreu i sindikatës ka vënë në dukje se edhe pse janë ndërtuar institucione të reja moderne për të burgosurit, nuk janë marrë parasysh plotësimi i kushteve të duhura për punononjësit që do të kryejnë shërbimet në vendrojet e tyre.

Ata kanë kërkuar që të realizohet edhe rritja e pagave siç është premtuar, e cila gjithsesi është 30 përqind më e ulët se punonjësit e tjerë të Policisë së Shtetit, pavarësisht se ligji parashikon se çdo gjë që përfiton policia e shtetit, e përfiton edhe ajo e burgjeve.

K.H.