Mbi 56-vjeçarin e arrestuar në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fushatën e pakove-bombë kundër kritikëve të presidentit Donald Trump, janë ngritur 5 akuza, përfshirë atë të dërgimit të eksplozivëve me postë dhe kërcënimin e ish krerëve të shtetit.

Zyrtarët amerikanë e identifikuan të ndaluarin si Cesar Sayoc, një mbështetës i flaktë i Trumpit. Shefi i Shtëpisë së Bardhë e lavdëroi punën e policisë për ndalimin e shpejtë të të dyshuarit, identifikimin e të cilit e përshkroi si po aq të vështirë “sa të kërkosh gjilpërën në kashtë”.

“Akte të tilla janë të neveritshme e nuk kanë vend në kombin amerikan. Forcat e rendit bënë një punë të shkëlqyer dhe dua t’i përgëzoj për këtë; në duhet ta tregojmë se jemi të bashkuar e në paqe. Nuk ka vend tjetër si ky i yni në botë dhe këtë po e tregojmë çdo ditë”, tha Trump.

14 objekte të tilla janë dërguar gjithsej këto ditë në adresa që përfshijnë atë të ish-presidentit Barack Obama dhe aktori të famshëm hollivudian Robert de Niro.