Autoritetet policore shqiptare në bashkëpunim me ato italiane kanë vënë në pranga një shtetas italian në kërkim, i dënuar për krime kundër fëmijëve.
Ai është Masimilliano Croce, 45 vjeç, i diplomuar në pedagogji për të mitur. Sipas vendimit të gjykatës italiane, 45-vjeçari në periudhën 2007-2014 ka kryer krime kundër të miturve, abuzime me fëmijë, pedofili.
Në vitin 2017, Croce është dënuar nga kjo gjykatë me vendim të formës së prerë me 16 vite burg, për veprën penale “Dhunë seksuale ndaj të miturve”. 45-vjeçari, gjatë periudhës së kryerjes së këtyre krimeve, ka shërbyer si mësues komuniteti për fëmijët e varfër dhe jetimë, në provincat e Romës dhe në qytetin e Romës.
“Pas shkëmbimit të informacionit në kohë reale midis kolegëve italianë dhe Drejtorisë Hetimore Qendrore pranë Departamentit të Policisë Kriminale, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i autorit, i cili fshihej në një banesë me qira në një zonë periferike të Tiranës. Autori i arrestuar i fshihej drejtësisë italiane prej më shumë se 4 vitesh”, tha në një deklaratë për mediat, Edi Merkaj, Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale.
Operacioni i kryer është rrjedhojë e bashkëpunimit shumë të mirë mes dy vendeve dhe tregon edhe njëherë rritjen e besimit reciprok mes palëve.





