Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushollu thotë se u ka kërkuar Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të Ballkanit të mbyllin shkollat e klerikut Fetullah Gylen.
Në një intervistë për agjencinë Anadollu, kryediplomati turk tha se institucionet arsimore të rrjetit FETO përbëjnë rrezik për sigurinë e këtyre vendeve.
Ankaraja i konsideron organizatat e Fetullah Gylenit si terroriste dhe organizatore të Grushtit të shtetit të 2016-ës. Çavushollu tha se deri më tani janë mbyllur 30 shkolla në vende të ndryshme të botës.
Shumë prej tyre do të administrohen nga një fondacion shtetëror i krijuar nga Turqia, që tani ka marrë nën administrim edhe shkolla në Shqipëri e Kosovë.