Një “Xibrakë” e dytë në Shqipëri. Një operacion i madh po zhvillohet në Veri të vendit. Ndonëse deri tani pjesa veriperëndimore e vendit ishte lënë jashtë hartës së drogës, aksioni i fundi i policisë vërteton të kundërtën.
Një laborator drogrash të forta është zbuluar nga policia në Has. Burime thanë se në laborator është gjetur një sasi e konsiderueshme lënde opiumi, lëndë e parë për prodhimin e heroinës dhe kokainës.
Dyshohet se laboratori i përket një linje të trafikut të drogave të forta që vepron prej vitesh nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE. Hetimet për zbulimin e fabrikës së heroinës në Has kanë nisur muaj më parë, në bashkëpunim me agjencitë e huaja partnere, shtuan të njëjtat burime.
Disa persona janë ndaluar nga policia si të dyshuar të grupit të trafikut të drogës, që përdorte laboratorin. Burime policore thanë se 5 persona janë arrestuar deri më tani, ndërsa 10 të tjerë janë shoqëruar.
Të arrestuarit : V.B., Flamur Bisho Çela, Xhavit Shuti, Mustaf Shuti, A.Shuti.
Një prej të arrestuarve, Flamur Bisho Çela punon prej vitesh tek forcat zjarrfikëset në Shkodër.
“Drejtoria Vendore e Policise Kukes ne bashkepunim me agjencite e tjera ligjzbatuese dhe nen drejtimin e Prokurorise se Rrethit Gjyqesor Kukes kane zhvilluar nje operacion antidroge ku eshte zbuluar nje objekt qe dyshohet se perdorej per perpunim te drogave te forta. Per detaje te operacionit Policia e Shtetit, Prokuroria dhe agjencite ligj zbatuese ne ditet ne vijim do te kene nje konference te perbashket per mediat per operacionin qe zhvillohet ne qarkun e Kukesit”,- thuhet në një njoftim të shkurtër të Policisë lidhur me ngjarjen.





