Pas tritolit që iu vendos mbrëmjen e djeshme në banesën e saj, një reagim ka ardhur edhe nga vetë Xhisiela Maloku. Në një prononcim për gazetarët jashtë banesës ku ajo jeton, Xhisiela pasi mbërrit me një makinë të cilën e drejtonte vetë, u shpreh se sulmi ka ardhur nga radhët e opozitës pasi ajo i nxori blof në lojën e tyre politike.
Sipas Xhisielës, tashmë ajo do ta pranojë urdhrin e mbrojtjes pasi ndjehet e kërcënuar nga opozita.
"Është mëse e qartë, është bërë nga PD dhe opozita. Të vërtetën e di unë dhe vetëm unë. Unë dola thashë të vërtetën, ata dolën blof në lojën e tyre politike. Deri dje nuk isha e rrezikuar, tani jam e rrezikuar nga opozita. Tani do ta pranoj mbrojtjen. Por s'do largohem nga Shqipëria", tha Xhisiela Maloku.
Më tej, ajo u shpreh se asnjëherë nuk është ndjerë e kërcënuar nga Rexhepi apo dhe nga familja e tij, madje në momentin e shpërthimit të eksplozivit personi i parë që ajo ka telefonuar është kushëriri i ish-partnerit të saj, pasi me të ndjehet e sigurt.
"Me Rexhepin kam marrëdhënie të mira. Sot kam kërkuar që të më qëndrojë pranë një nga familjarët e tij. Vetëm kështu ndjehem e sigurt. Ishte një shpërthim i fuqishëm. Pas tritolit telefonova menjëherë kushëririn e Rexhepit. Unë s'do largohem nga Shqipëria", deklaroi ajo.
E pyetur nëse mund të kthehet sërish bashkë me Rexhepin, Xhisiela tha se "Nuk i dihet".





