Masën e sigurisë “arrest në burg” ka vendosur gjykata e Durrësit për dy inspektorët tatimorë të drejtorisë së përgjithshme Tiranë, që u arrestuan tre ditë më parë për mitmarrje. Dy inspektorët e Hetimit Tatimor në Drejtorinë Rajonale të Tatim Taksave Tiranë do të vijojnë të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve, ndërsa kanë të drejtë të apelojnë vendimin brenda harkut të dhjetë ditëve.

Gjykata e shkallës së Parë Durrës në vijimësi të hetimit dha për Gentian Elezin, 29 vjeç dhe Artan Kroj, 37 vjeç, masën e sigurimit personal “arrest në burg”. Dy zyrtarët akuzohen për veprën penale “Korrupsion pasiv dhe aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe “Shpërdorim të detyrës”.

Ata u arrestuan tre ditë më parë nga policia e Durrësit pas një hetimi proaktiv 3 mujor. Dy të arrestuarit, në bashkëpunim edhe me një inspektor tjetër të shpallur në kërkim, shpërdoronin detyrën dhe ju merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200 000 lekë për çdo rast.

K.H.