Dy zarfe që përmbanin një substancë të dyshimtë janë gjetur në një objekt të postës së Pentagonit dhe i janë dërguar për analiza FBI-së, thonë zyrtarët e cituar nga mediat amerikane.

Pentagoni tha të martën se kishte marrë pako që dyshohet se përmbanin helmin vdekjeprurës ricinë, duke përfshirë një zarf që një zyrtar tha se i drejtohej Sekretarit të Mbrojtjes, Jim Mattis.

Pentagoni tha në një deklaratë se e kishte vënë në karantinë objektin e shpërndarjes së postës dhe se FBI-ja po analizon zarfet. Zyrtarët thanë se zarfet fillimisht rezultuan pozitivisht për ricinë, pasi u zbuluan nga policia e Pentagonit të hënën në një objekt postar.

Objekti ndodhet në kompleksin e Pentagonit, por jo në ndërtesën kryesore. Ricina mund të shkaktojë vdekjen brenda 36-72 orësh nga ekspozimi ndaj një sasie mjaft të vogël, sa një majë gjilpëre. Kundër ricinës nuk ekziston ndonjë kunderhelm i njohur.