Sot është një ditë historike për qytetarët maqedonas, të cilët do t’i drejtohen kutive të votimit, për të votuar për referendumin për emrin e Maqedonisë. Mbi 1.8 milionë qytetarë do të shprehin vullnetin e tyre në aprovim ose në kundërshtim të ndryshimit të emrit. Siç e përcakton edhe rregullorja, qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00, për të vijuar deri në orën 19:00. Ky referendum do të ketë një pyetje: A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?
Rreth 12 mijë vëzhgues vendas dhe 320 vëzhgues të huaj janë akredituar për ta ndjekur procesin. Ndërkohë, ditën e djeshme shfrytëzuan të drejtën e votës personat e sëmurë, të burgosurit si dhe shtetasit që jetojnë jashtë Maqedonisë.
Parlamenti e ka miratuar tashmë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, por kundërshtimi nga ana e presidentit George Ivanov, e çoi çështjen drejt verdiktit të popullit. Kujtojmë që referendumi të jetë i suksesshëm, duhet që të paktën 853 mijë qytetarë të votojnë pro tij.