Prezantuesja e lajmeve në BBC Radio 5 Live, Rachel Bland, e cila ka kancer të pakurueshëm, zbuloi në rrjetet sociale se ka vetëm pak ditë jetë. 40-vjeçarja u diagnostikua me kancer gjiri në Nëntor të 2016-s.

Prezantuesja drejton programin radiofonik “You, Me and the Big C”, sëbashku me Deborah James dhe Lauren Mahon. Në një postim në Twitter të hënën, 40-vjeçarja tha se dyshja do të vijonte drejtimin e programit. Lajmin e hidhur e përcolli edhe vetë BBC në një shkrim të botuar këtë të hënë.

“Kam frikë se koha ime ka ardhur miqtë e mi. Dhe krejt papritur. Kam vetëm pak ditë jetë, është vërtetë surreale. Faleminderit shumë për të gjithë mbështetjen që më keni dhënë”, shkruajti Bland.

Muajin e shkuar ajo tha se ishte në luftë me kohën për të publikuar një libër kujtimesh për djalin e saj 2 vjeç, Freddie dhe se besonte se kishte “më pak se një vit” jetë.