Lura e Dibrës dhe zona e Dajtit në kryeqytet mbeten nën kërcënimin e flakëve, që vijojnë prej ditësh, pavarësisht ndërhyrjes nga toka dhe ajri të qindra forcave të emergjencave.
Situata më e rënduar është në Lurë, ku vijon operacioni me 200 forca bashkiake, 50 efektivë të ushtrisë, 15 efektivë të Policisë së Shtetit, 18 vullnetarë, 2 automjete zjarrfikëse dhe 2 avionë Air Tractor.
Ndërhyrja e qindra forcave ka mundësuar kontrollin e zjarrit në segmentin pranë banesave, por në katër ditë mes flakëve janë djegur 300 hektarë pyje. Aktive mbetet edhe vatra në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, ku forcat operacionale kanë arritur të vendosin nën kontroll pjesë të saj.
Në Tiranë, vijon puna në Malin e Dajtit, me 9 forca zjarrfikëse dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura, ndërsa në Priskë dhe Farkë operojnë 30 forca zjarrfikëse me 6 mjete.
Ministria e Mbrojtjes njofton se në të gjithë vendin po ndiqen 13 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive. Ndërhyrja nga toka dhe ajri arriti të vërë nën kontroll situatën në Krujë, ku po vijon puna për izolimin dhe fikjen e plotë të vatrave.
Vatra aktive, por pa rrezik për zonat e banuara, ka edhe në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan e Shkodër. Ndërsa në përmet e Qukës, reshjet e shiut po favorizojnë normalizimin e situatës.





