Teuta vazhdon me përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Tiranës, e cila do të zhvillohet të premten në “Selman Stërmasi”. I gjithë grupi i futbollistëve është i gatshëm për këtë takim, megjithatë shqetëson kapiteni Tefik Osmani, i cili në stërvitjen e fundit pësoi një godijte duke u detyruar ta lërë seancën përpara kohe. Mbrojtësi i qendrës që mund të luajë edhe si mesfushor qendre, pësoi një tërheqje në kofshën e majtë.
Stafi mjekësor garanton se nuk është një dëmtim i rënd, megjithatë stafi teknik është i shqetësuar, pasi ai është një ndër lojtarët më të rëndësishëm në repartin difensiv. Gjithashtu edhe mesfushori Florent Avdyli, pësoi një goditje të lehtë gjatë një mini-ndeshje brenda grupit, por kosovari nuk rrezikon takimin me Tiranën. Kundër bardhebluve trajneri Bledi Shkëmbi pritet të zbres në fushë me të njëjtin formacion, edhe pse ka disa dilema sa i përket repartit të avancuar.
Në ndeshjen e parë sulmi shpërdoroi shumë dhe ky fakt ka bërë që stafi teknik të punoj më tepër me lojtarët e repartit të avancuar për të mbërritur te goli. Latif & Co janë ushtruar me goditje standarde, por edhe me ushtrime të ndryshme për të mbërritur te goli me aksion. Pas hapit fals në ndeshjen e parë Tirana nuk mendon asnjë rezultat tjetër përveç fitores, por bregdetarët shkojnë me objektivin e qartë në kryeqytet.





