Edhe pse e kaloi procesin e Vettingut, ndërkombëtarët dalin kundër gjykatësit Artur Malaj. Sipas njoftimit zyrtar, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Artur Malaj.

Më 3 gusht, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të Artur Malaj, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë, dhe kandidat për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Në seancën dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit doli kundër DSIK për Malaj. DSIK e konsideronte të papërshtatshëm Malajn për të vijuar ushtrimin e detyrës pasi ishin zbuluar lidhje të tij me elemente kriminalë.

Por një javë pas vendimit, ONM kërkon të rishikohet vendimi i KPK. Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Ky është rekomandimi i pestë nga ONM për të ankimuar vendimin që iu ka dhënë "OK" 5 subjekteve të rivlerësimit duke kaluar vettingun.