Një 51-vjeçar nga Lezha është arrestuar në flagrancë nga policia e Durrësit, pasi brenda në shtëpinë e tij ka goditur një të ri nga qyteti bregdetar dhe më pas ka vjedhur dhe lekët me dhunë.

Ngjarja është regjistruar një ditë më parë. Shtetasi F.Sh. 51-vjeç ka shkuar në shtëpinë e 29-vjeçarit A.E. të cilin e ka rrahur keq, duke e lënë të plagosur rëndë.

Më pas, ai i ka vjedhur me dhunë një sasi parash shtetases H.M. 44 vjeçe, e cila ndodhej në të njëjtën shtëpi me të plagosurin. Policia e njoftuar për rastin, ka mbërritur me urgjencë në vendngjarje, duke mos i dhënë mundësi autorit të largohet.

Policia bën të ditur se personat kishin njohje mes tyre, por nuk jep detaje më të hollësishme lidhur me shkakun që shkaktoi episodin e rëndë të dhunës dhe vjedhjes.

Ndërkohë, i arrestuari akuzohet për dy vepra penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Vjedhja me dhunë”.