I arrestuar në flagrancë nga policia për plagosjen e gruas së tij, i riu nga Durrësi nuk ka treguar para hetuesve arsyen e vërtetë se pse qëlloi në këmbë me pistoletë bashkëshorten 28-vjeçare, në shtëpinë e tyre.
Burime policore bëjnë të ditur për DurrësLajm se 30-vjeçari A.N. ka deklaruar së polici se plagosja ka ndodhur pa dashje dhe se mes të dyve nuk ka asnjë konflikt.
Por ajo që e bën më të çuditshme ngjarjen është fakti i largimit nga spitali të gruas së plagosur, menjëherë sapo ka marrë ndihmën e parë.
Shtetasja E.N. nuk ka pritur policinë për të dhënë deklaratën e saj, por është larguar dhe deri më tani nuk është dëgjuar nga hetuesit versioni i saj për ngjarjen.
Në të njëjtën kohë, nuk është gjetur ende as pistoleta, me të cilën 30-vjeçari A.N. plagosi në këmbë bashkëshorten.





