Durrësi, Kruja, Berati dhe Tirana janë destinacionet e turistëve që zbritën paraditen e së djelës nga kroçera “Sirena” në portin e Durrësit. Turistët u nisën me autobuzë drejt qyteteve tona historike dhe muzeale.
659 turistë nga 24 vende të ndryshme ishin nisur mbrëmjen e kaluar nga Argostoli (Greqi) drejt Durrësit, ndërsa sot pasdite kroçera “Sirena” do të vijojë lundrimin drejt Kotorrit (Mali i Zi).
502 nga turistët janë nga SHBA, ndërsa nuk mungojnë udhëtarë nga Zelanda e Re, Britania e Madhe, Tailanda, Australia, Belgjika, Kanadaja, etj., të interesuar për vendin tonë.
Itinerari i kroçerës “Sirena” përfshin 12 porte në Itali, Shqipëri, Maltë, Greqi, Malin e Zi dhe Kroaci, ndërsa turi përfundon më 9 gusht në Venecia.
Kroçera me flamur të ishujve Marshall ka një gjatësi prej 181 metra dhe vjen për herë të dytë në Durrës.