Milani zyrtarizoi dje dyshen e lojtarëve të ardhur nga Juventusi, Gonzalo Higuain dhe Mattia Caldara, duke rritur ndjeshëm entuziazmin e tifozërisë kuqezi. Pas periudhës së errët nën drejtimin e kinezit Li Jonghong, kuqezinjtë tashmë po shohin “dritë në fund të tunelit” dhe afrimi i dy big-ëve të tillë tregon se planet e Elliot janë serioze.
Pasi ka blinduar mbrojtjen dhe sistemuar sulmin, tashmë Leonardo synon të afrojë një emër cilësor edhe në mesin e fushës, repart që ka pak alternativa dhe ka nevojë për ndërhyrje.Emrat e pretenduar janë disa, por më i bujshmi mbetet ai i Milinkoviç-Saviç, mesfushorit serb të Lazios, për të cilin Tare dhe Lottito kërkojnë 140 milionë euro.
Leonardo do të tentojë të afrojë serbin, duke ofruar rreth 120 milionë euro, të ndara në tre këste, për të mos u penalizuar nga rregullat e UEFA-s.Alternativa të Milinkoviç-Saviç janë mesfushori i PSG-së Rabiot dhe kroati i Realit të Madridit, Matteo Kovaçiç, pasi që të dy kanë kërkuar largimin nga skuadrat respektive.
Për francezin, Leonardo kërkon të shfrytëzojë miqësinë që ka me sheikun e PSG-së, Nasser Al Khelaifi, pasi të dy kanë bashkëpunuar më herët pikërisht te klubi francez. Sa i përket Kovaçiç, kroati kërkon largimin për më shumë hapësira dhe paraqet alternativën me kosto më të përballueshme për kuqezinjtë.
Ndërkohë, vlen të përmendet se Milani ka një akord total me fantazistin brazilian Bernard, i cili është lojtar i lirë, pasi i skadoi kontrata me Shakhtar Donetsk.Gjithsesi, primarë për Leonardon janë emrat e tjerë, që ditë të organizojnë lojën dhe për Bernard do të pritet ende, para se të jepet miratimi final.





