Teuta është gati për Superioren, por mendjen e ka te miqësoret dhe merkatoja. Pas rreth një muaji në Maqedoni, Teuta është rikthyer në Durrës për të vazhduar me përgatitjet përfundimtare për sezonin e ri sportiv. Pasditen e së premtes, bregdetarët mbërritën në shtëpi pas një fazë përgatitore intensive ku zhvilluan edhe disa ndeshje miqësore.

Trajneri Bledi Shkëmbi, së bashku me stafin e tij teknik, gjatë kësaj periudhe ka punuar shumë për të “brumëzuar” filozofinë e tij tek ekipi që ka në dispozicion. “Bregdetarët” janë përforcuar me disa futbollistët cilësorë, megjithatë priten akoma edhe dy-tre përforcime. Në portë, Teuta pritet të afrojë maqedonasin Bobi Celeski, i cili ka qenë në provë për disa ditë në Ohër, duke dhënë sinjale pozitive.

Celeski, aktualisht nuk është me ekipin, por pritet që sot të jetë në Durrës për të nënshkruar kontratën, pasi ka bindur stafin teknik. 21-vjeçari është lojtar i talentuar dhe pjesë edhe e Kombëtares U-21 të Maqedonisë.

Në sezonin e fundit, ai është aktivizuar me ekipin Makedonija GjP në Superligën maqedonase, duke luajtur 13 ndeshje si titullar.Pavarësisht faktit se në repartin e avancuar ka disa zgjedhje, si Latif, Kamara, Traore, Kruja apo edhe Peqini, Shkëmbi kërkon një sulmues që ta njohë mirë portën.

Edhe pse Teuta në miqësoret që ka zhvilluar deri tani ka treguar gjendje të mirë, duke regjistruar tri fitore, dy humbje dhe një barazim, stafi teknik nuk është plotësisht i kënaqur dhe dëshiron të tjerë futbollistë në ekip.