Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës, Artur Malaj.

Në seancën dëgjimore të Malajt, spikati ndërhyrja e përfaqësuesit të ONM-së, i cili e pyeti disa herë për mënyrën sesi gjyqtari kishte firmosur një kontratë për shtëpi, kishte marrë një kredi edhe më pas nuk e kishte blerë kurrë. Replikat vijuan nga të dyja palët si rrallë herë në një seancë dëgjimore.

Ashtu si në seancën dëgjimore, edhe në dhënien e vendimit Malaj ka qënë vetë i pranishëm i shoqëruar nga avokatja e Popullit, Erinda Ballanca. Trupa gjykuese ishte e përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Suela Zhegu dhe Pamela Qirko.

Sipas raportit të ILDKPI, Malaj ka bërë deklarim të saktë të pasurisë dhe nuk ka fshehur atë, raport të cilin e ka mbështetur edhe KPK pas hetimeve të thelluara. Por nga ana e DSIK, gjyqtari Artur Malaj ka rezultuar i papërshtatshëm për të qenë gjyqtar dhe për të vijuar detyrën e tij.