Dorëzohen në polici dy persona, që kanë pranuar se janë ekzekutorët e shqiptarit 24-vjeçar Viktor Picaku, i cili u qëllua për vdekje në mes të sheshit Abbazia, në Corato të Barit.
Identitetet e tyre nuk dihen ende, megjithatë mësohet se janë nga provinca e Corato-s në Bari. Ata iu dorëzuan hetuesve pas disa orësh arrati.
24-vjeçari Picaku ndodhej mbrëmjen e së mërkurës në sheshin “Abbazia” të Coratos, kur autorët, të cilët lëviznin me motor, qëlluan në drejtim të tij duke i marrë jetën. Në vendngjarje kishte shumë njerëz, përfshirë fëmijë.
Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten mister. Autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë, përfshirë edhe atë të një krimi pasioni.
Picaku ishte me origjinë nga Mirdita dhe familja e tij jetonte në qytetin e Durrësit.





