Rastet e dhunës në familje, sidomos ato mes bashkëshortëve, janë një fenomen thuajse i përditshëm në Durrës.

Por ajo që tërheq vëmendjen në denoncimin më të fundit bërë në komisariatin e policisë së Shijakut është fakti që dhunimi ka ndodhur mes dy personave në moshë të thyer, gjë e rrallë kjo.

Rastet kur prindërit e moshuar janë dhunuar nga bijtë, bijat apo familjarë të tjerë nuk kanë munguar, ndërkohë që dhuna mes bashkëshortëve në moshë të thyer ose ka më pak premisa të ndodhë, ose në këtë rast çiftet tregohen më të rezervuar dhe pasojat i vuajnë brenda 4 mureve të shtëpisë, pa guxuar të bëjnë denoncimet përkatëse.

Por kjo s'ka ndodhur me rastin e mëposhtëm.

Megjithëse kanë kaluar së bashku gati një jetë, mosmarrëveshjet si dhe dhuna fizike dhe psikologjike e ushtruar nga bashkëshorti kanë detyruar një 74-vjeçare t’i drejtohet komisariatit të Shijakut, një ditë më parë.

Ajo ka deklaruar para efektivëve se është dhunuar nga bashkëshorti 76-vjeçar, shtetasi S.C.

“U plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen H.S., vjeçe 74, banuese në Shijak, pasi dyshohet se bashkëshorti, shtetasi S.C., vjeç 76, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj”,njofton policia.

Policia nuk jep detaje të mëtejshme nëse këto raste dhune kanë qenë të vazhdueshme mbi gruan e moshuar apo bëhet fjalë për një rast sporadik.

Ndërkohë po dje, policia ka plotësuar dokumentacionin për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për 45-vjeçaren Sh.K. që është dhunuar nga bashkëshorti Sh.K. 38 vjeç.