Dhuna ndaj gruas së tij i ka kushtuar lirinë një 46-vjeçari shqiptar në Itali, i cili u arrestua pasi tentoi ta vriste atë.

Mediat italiane raportojnë se gjatë mbrëmjes së të hënës, policia e Materas u sinjalizua nga një telefonatë, për konflikt në një familje.

‘Basilicata24.it’ shkruan se falë ndërhyrjes së policisë, u arrit të parandalohej krimi në familje. Mësohet se 46-vjeçari pas një sherri për motive banale, kishte nisur të keqtrajtonte gruan e tij 36 vjeçe, në sy të fëmijëve të tyre, 7, 14 e 15 vjeç, të cilët ishin bërë edhe dëshmitar të skenës së rëndë.

Shqiptari, me inicialet C.A., nisi të godiste gruan dhe ta kërcënonte me vdekje, ndërsa më pas u përpoq ta godiste atë me dy thika kuzhine.

Pasi ndërhyri policia, u bë i mundur arrestimi i agresorit.