Jeremy Hunt mund të ketë zëvendësuar Boris Johnson si kryediplomat i Britanisë së Madhe, por duket se tendenca për sekretar të Jashtëm gafaxhinj në Britani, nuk do të zhduket shpejt.

Hunt, shënoi ditën e parë të udhëtimit të tij në Kinë, ku shpreson të forcojë lidhjet tregtare në prag të Brexit-it, duke i thënë gabimisht mikpritësve të tij se bashkëshortja e tij është japoneze kur në të vërtetë ajo është kineze.

Sekretari i Jashtëm që u zhvendos nga posti i sekretarit të shëndetit në karrigen e Johnson, më herët këtë muaj, e bëri gabimin e tmerrshëm ndërsa takoi homologun e tij kinez.

Ndërsa shkëmbenin batutat e para në takimin me ministrin e jashtëm dhe zyrtarët e tjerë, Hunt tentoi të tregonte se familja e tij ka lidhje me Kinën.

Por, ai u gabua dhe tha: “Gruaja ime është japoneze, oooh gruaja ime është kineze. Më falni, ky ishte një gabim i tmerrshëm…

E pas të qeshurave që shpërthyen në sallë, ai shtoi: Gruaja ime është kineze dhe fëmijët e mi janë gjysmë kinezë, ndaj ne kemi gjyshër kinezë që jetojnë në Xian dhe lidhje të forta familjare në Kinë”. E me këtë gafë, përveçse rrezikoi të zemëronte të shoqen, Hunt për pak edhe ofendoi zyrtarët kinezë të ulur përballë tij.