Policia e Tiranës ka ndaluar autorin e vendosjes së eksplozivit në banesën e të dënuarit për vrasje, Gazmir Dacit.

Në kuadër të operacionit “Pagesa”, u bë kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje, Vilson Brahaj , 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Kamëz ,Tiranë.

Nga tërësia e veprimeve të kryera dyshohet se ky shtetas kundrejt pagesës ka vendosur sasinë prej 500 gramë lëndë plasëse në banesën e shtetasit XH.D.

Autori i dyshuar pas kryerjes së krimit ka hedhur në lumë tek “Ura e Tapizës” rrobat e përdorura gjatë kryerjes së krimit, ndërsa automjetin e kishte fshehur në një bodrum afër “Urës së Tapizës”.

Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhënë të tjera.

Sa më sipër në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti të cilin autori i dyshuar e ka përdorur për të transportuar dhe shpërthyer lëndën plasëse në banesën e shtetasit Xh. D.

Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit Vilson Brahaj, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.