Një shtetas maqedonas është arrestuar në Elbasan pasi akuzohet se do të shiste pistoleta kundrejt shumës 500 euro copa.  Operacioni policor u kodua "Uraka1”. Personi i arrestuar është 32 vjeçari nga Maqedonia me banim në Kosovë, Ylber Suma.

Njoftimi i policise:

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, në  bazë të informacioneve të marra në rrugë operative-ligjore nga ana e Specialistëve  të Hetimit të Krimeve dhe Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pas një pune të mirëorganizuar është finalizuar operacioni policor i koduar “URAKA 1”.

Si rezultat i operacionit, në vendin e quajtur fshatin Urake, qyteti i Prrenjasit është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit:  Ylber Suma, 32 vjeç, lindur në Shkup, Maqedoni dhe banues në fshatin Dimcë, komuna Hani i Elezit, Kosovë. Pasi gjatë kontrollit te automjetit tip "Alfa Romeo" me targa SK3771AD, të cilin e drejtonte vetë , policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale:

2 armë zjarri tip pistoletë dy krehëra dhe 5 fishekë.

Ky shtetas këto armë zjarri bashkë me municionet përkatëse, i kishte futur në mënyrë të kundraligjshme nga Maqedonia, me qëllim për ti shitur ato me pas në qytetin e Elbasanit, kundrejt vlerës 500 Euro copa (pistoleta).

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake” të parashikuar nga neni 278/a i Kodit Penal