Dëshira për t’u treguar e kuruar apo edhe më e bukur estetikisht, në ndonjë rast mund të ketë pasoja fatale për jetën.
Një 35-vjeçare në SHBA, për pak sa nuk humbi këmbën, pasi mori një infeksion gjatë kohës që pastronte kallot në një qendër estetike.
Tracy Lynn Martinez shkoi si zakonisht te salloni që ndodhej në zonën ku banonte në Winston Salem, Karolina e Veriut, më 22 qershor.
Por të nesërmen nisi të kishte të dridhura, i vinte për të vjellë dhe marrje mendsh, dhe kur pa këmbën e fryrë jashtë normales, u tmerrua.
Pasi u dërgua në spital, mjekët e diagnostikuan Martinez me një lloj infeksioni të rëndë, të shkaktuar nga ‘prerësja e kallos’, që përdoret për të hequr lëkurën e fortë te këmbët.
Pas 2 javësh në spital, gjendja e saj u stabilizua dhe fatmirësisht gruaja tani është jashtë rrezikut për jetën.
Tashmë Martinez po përpiqet që të sensibilizojë të gjitha vajzat që të bëjnë kujdes, pasi shëndeti dhe jeta e tyre mund të vihet në rrezik.





