Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla thotë se ka depozituar në prokurorinë e Tiranës, fakte të reja për kallëzimin penal ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha.
Balla shkruan në Facebook se lidhja e PD me pronarët e 3.4 mln eurove është organike ndërsa lidhja e Bashës me ta është sa afërt në foton e publikuar më herët ndaj tij aq edhe thellë në njohje të vjetra politike dhe personale.
STATUSI I PLOTË
Në vijim të transparencës dhe ndershmërisë përballë opinionit publik, sapo kemi depozituar në Prokurorinë e Tiranës parashtrime dhe fakte të reja, në plotësim të Kallzimit Penal datë 27.06.2018, ndaj personit të kallëzuar Lulzim Basha për disa vepra penale.
Jemi të bindur se këto hapa ligjorë do të zbardhin shpifjet dhe ofendimet e turpshme të esadistit Lulzim Basha, ndaj meje dhe ndaj gjithë grupit tim parlamentar. Në fund të këtij procesi drejtësie ky gojë përdalë do të marrë një dënim shembullor.
Nuk kam asnjë dyshim që afera e transportit të eurove të sekuestruara do të zbardhet plotësisht me kapjen e autorëve në kërkim (me të cilët lidhja e PD është organike, ndërsa e Lulzim Bashës me ta është sa afër në provën fotografike, aq edhe thellë në njohje të vjetra politike dhe personale).
Jemi të vendosur që me Lulzim Bashën dhe esadistët e tij të ndjekim gjithnjë e më shumë rrugën gjyqësore të përballjes me shpifjet e ndyra e me gënjeshtrat ofenduese të tyre. Ata tanimë duhet t’i mesojmë të sjellin prova para publikut, ose të turpërohen sic e meritojnë në sallat e gjyqeve dhe të procedohen penalisht kur shkelin ligjin.





