Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla nga jashtë ambienteve të Krimeve të Rënda, deklaroi se do të depozitonte të tjera prova që implikojnë Bashën lidhur me 3.4 milionë eurot e sekuestruara në Portin e Durrësit. Ai tha se ka dyshime që Basha i njeh dhe dy personat e shpallur në kërkim, si porositës të eurove, kushërinjtë Vladi.
"Sot jemi në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku është faza e parë e apelimit gjyqësor nga ana ime kundrejt kësaj shpifje. Kam bërë edhe një kallëzim në prokurori. Do depozitoj nesër të tjera elemente shtesë që e implikojnë Bashën se kishte dijeni për sasinë e eurove dhe se kam dyshime se ai i njeh porositësit e shpallur në kërkim. Sot Basha nuk u përball me shpifjen sot. Nëse do të kishte burrërinë do të kishte qenë i pari që do t’i drejtohej prokurorisë. Basha se bëri, sot nuk u paraqit. Thonë se ka ikur në SHBA. Por i sugjero se nëse është e vërtet, se e ka zakon që t’i fshihet drejtësisë, si në rastin e hetimit për rrugën Durrës-Kukës. Nëse është në Amerikë, ka një detyrim ligjor që para organeve ligjzbatuese amerikan duhet të japë shpjegime për kontratën lobuese."
Taulant Balla tha se është i gatshëm të përballet me Bashën dhe se Krimet e Rënda duhet të thërresin Bashën në cilësinë e personit që ka dijeni për kapjen e 3,4 mln eurove dhe i njeh personat e përfshirë. Teksa fliste para gazetarëve, një buri makine binte vazhdimisht, ndërsa socialisti mes ironisë tha se mos ishte Basha.
"Mezi pres të përballem me Lulzim Bashën dhe personi i parë që duhet të thirret për këtë çështje është Lulzim Basha. Apeli im për prokurorinë e Krimeve të Rënda është që të thirret Basha që siç ka bërë akuza në Kuvend të vijë të flasë sepse ka njohje me personat e përfshirë. Ai i njeh personat e përfshirë në kapjen e eurove në Toyota. (dëgjohet një bori makine) Mos është Luli që po vjen… Kam dyshime që ai i njeh dhe dy personat e tjerë të cilët kanë qenë prezentë në çadrën e Lulzimit. Pas kësaj akuze të turpshme se në fund të këtij procesi që mund të jetë edhe i gjatë, me vendim gjykate Lulzim Basha do më kërkojë ndjesë për shpifjet mua. Unë jam gati të përballem me Lulzim Bashën dhe Lulzimi duhet të vijë me doemos."





