Një anije tregtare me 500 ton kripë është arratisur ditën e djeshme nga porti i Durrësit pa lejen e autoriteteve portuale.
Kreu i Kapitanerisë së Durrësit, Taulant Allka, në një prononcim për mediat tha se largimi i anijes “Sea Scaner” nga porti është përgjegjësi direkte e kapitenit të saj.
Ai sqaroi se konflikti tregtar midis kompanisë pritëse të mallit dhe asaj transportuese nuk gjeti zgjidhje për shkak se siguracioni nuk mbulonte dëmin e shkaktuar të 500 tonëve kripë.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se është shpallur në kërkim shtetasi E.H. 43 vjeç, banues në Siri, kapiteni i anijes së transportit të mallrave.
43-vjeçari nga Siria është denoncuar nga shtetasi L. H. 51 vjeç, banues në Tiranë, administrator, ky i fundit me largimin e ngarkesës prej 500 ton kripe pa lejen e autoriteteve portuale, ka pësuar një dëm ekonomik prej 130.000 dollarësh në subjektin e tij.
Ndërkohë policia po punon për kapjen e kapitenit të anijes. Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, sipas neneve 174 e 143/2 të Kodit Penal.





