Taulant Allka, kreu i Kapitanerisë së Durrësit, në një prononcim për mediat tha se largimi i anijes “Sea Scaner” nga porti është përgjegjësi direkte e kapitenit të saj.

Allka sqaroi se konflikti tregtar midis kompanisë pritëse të mallit dhe asaj transportuese nuk gjeti zgjidhje për shkak se siguracioni nuk mbulonte dëmin e shkaktuar të 500 tonëve kripë.

Allka ka vënë në dispozicion të medieve dokumentacionin e hyrjes, qëndrimit dhe daljes së anijes me flamur të Sierra Leones, e nisur nga Egjipti me 6 mijë ton kripë.

Sipas Kapitanerisë Durrës, anija më herët kishte transportuar qymyr dhe hambari i saj nuk ishte pastruar, çka bëri që kompania tregtare shqiptare të mos marrë sasinë prej 500 ton për shkak se ishte përzier dhe ndotur duke e bërë kripën të papërdorshme e jashtë standarti.

Allkja përjashton numdësinë e trafikimit të qenieve njerëzore apo refugjatëve sirianë, me këtë anije që sipas tij nuk ishte kontrolluar nga autoritetet, por shkak ishte konflikti tregtar që bëri të largohej pa leje.  

Në bazë të dokumentacionit që disponon Allka, e që po e publikon DurrësLajm, rezulton se ekuipazhi i përbërë nga 13 marinarë është me shtetësi egjiptiane, ndërsa kapiteni i anijes me shtetësi siriane. Anija i është drejtuar portit të Rijekës në Kroaci, aty ku pritet që kapiteni i anijes të përballet me masat ndëshkuese për shkeljen e ligjeve ndërkombëtare të lundrimit.

Prej vitit 1997, nuk kishte ndodhur që një mjet lundrues të largohej nga porti pa marrë lejen e autoriteteve portuale të Durrësit.

Anija hyri në 23 qershor në portin e Durrësit, në 25 qershor nisi shkarkimi i 5500 tonëve kripë, ndërsa para përfundimit të shkarkimit kompania tregëtare shqiptare kërkoi ndërprerjen e operacionit dhe pjesëmarrjen e shoqërisë së sigurimeve, e cila deri më sot nuk është paraqitur. Konflikti bëri që anija të dërgohej në radën e jashtme të portit në 2 korrik, ndërsa sot në mëngjes në orën 2 të mëngjesit u arratis së bashku me ngarkesën prej 500 ton kripë.

K.H.