Dashuria, ajo e vërteta, nuk njeh kufij. Edhe kur njëri prej partnerëve ndahet nga jeta, dashuria nuk shuhet, ajo vazhdon të jetojë me kujtimet e personit të dashur.
Kështu vepron edhe një pensionist italian në qytetin e Gaeta-s, që shkon të qëndrojë buzë detit së bashku me fotografinë e bashkëshortes së ndarë nga jeta.
Me kanotiere dhe pantallona të shkurtra, i moshuari, me shikimin drejt pafundësisë së detit, mban pranë fotografinë e gruas.
Ndoshta ajo dashuronte detin dhe për këtë bashkëshorti i saj merr me vete foton e së ndjerës, si për t’i kujtuar edhe njëherë asaj ndjesinë e mrekullueshme që të sjell kaltërsia e detit, përplasja e dallgëve në breg dhe përthyerja e së kaltrës së qiellit me atë të detit.
Fotoja që po bën xhiron e internetit është realizuar nga një pronar I një dyqani shumë pranë vendit, ku i moshuari ulet e bisedon me detin dhe gruan e vdekur.





