Këshilltari demokrat i Këshillit Bashkiak Durrës dhe ish-drejtori i Tatim-Taksave, Shkëlqim Fortuzi ka publikuar një status në Facebook, ku vë theksin tek numri i bizneseve të vogla me xhiro mbi 2 milion lekë të mbyllura për shkak të skemës së TVSH-së, të futur që nga 1 prilli.
Sipas Fortuzit, nga 10800 biznese të kaluara me TVSH, rreth 8500 prej tyre kanë mbyllur ose pezulluar aktivitetin.
“Nga 10800 biznese të kaluara me TVSH, rreth 8500 janë mbyllur ose pezulluar, pra nuk kontribojnë asgjë për buxhetin e shtetit nga 15 milion Euro, që kontribuonin më pare, përkundrazi është shtuar ushtria e të papunëve me rreth 20 mijë të tjerë”, shkruan Fortuzi.
Postimi i Shkëlqim Fortuzit:
Biznesi i vogël me xhiro mbi 2 milion lekë, i cili kaloi me dhunë në skemën e TVSH-se në prill të vitit 2018,i jep shuplakë të rëndë arrogancës së qeverisë shurdhur. Duke ju përgjigjur me “vetëgjyqësi”. Nga 10800 biznese të kaluara me TVSH, rreth 8500 janë mbyllur ose pezulluar,pra nuk kontribojnë asgjë për buxhetin e shtetit nga 15 milion Euro, që kontribuonin më parë. përkundrazi është shtuar ushtria e të papunëve me rreth 20 mijë të tjerë.
Një gjë nuk kuptohet, kush fitoi nga kjo arrogancë dhe vetëgjyqësi?! Pse duhet cënuar një sistem i cili funksionon?!
Kush do të përgjigjet për këtë dëm ekonomik?!





