Në një intervistë për radiostacionin e SYRIZA "To kokkino 105.5" ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias ka folur për pretendimet e disa mediave greke se në marrëveshjen mes Athinës dhe Tiranës është rënë dakord për një shkëmbim termash Çamëri dhe Epiri i Veriut.

Kotzias tha se Greqia asnjëherë nuk do bisedojë për Çamërinë me Shqipërinë, ndërsa sa i përket Vorio Epirit, kjo çështje nuk i përket Greqisë duke pranuar kufijtë e traktatit të Parisit më 1926.

"Kurrë nuk pranova në tryezën e bisedimeve dhe as do të pranoj diskutimin e çështjes çame. Qeveria e vetme që pranoi diskutime të tilla ishte e Demokracisë së Re ne vitin 1990. Sa i përket Vorio Epirit, nuk i përket Greqisë dhe nuk ka çështje të tillë. Pranojmë kufijtë e aktit të Helsinkit, të traktatit së Parisit 1926, të drejtën ndërkombëtare, pasojat e dy luftërave botërore. Nuk bëjmë pazare të Çamërisë me Vorio Epirin. Akuzat mediatike dhe mikropolitike janë serioze. Doni luftë? Nuk luhet me këto tema,"- ka deklaruar Kotzias.