Igballe Cakaj, zyrtarja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila u suspendua pas rastit të vjedhjes në një qendër tregtare në Bruksel, nuk është se ka përgjegjësi të vogla në këtë dikaster qeveritar.

Klan Kosova mëson se si udhëheqëse e sektorit të zhvillimit profesional të mësimdhënsëve, ajo menaxhon një buxhet vjetor prej rreth 800 mijë eurosh.

Ndërkohë, burime nga ministria bëjnë me dije se ajo është kampione në numrin e udhëtimeve jashtë vendit, dhe në përfitimet nga mëditjet.

Madje, sipas të njëjtave burime, qëndrimi i saj në Bruksel javën e kaluar, më shumë ka qenë insistim i saj të jetë pjesë e delegacionit kosovar, se sa ka qenë nevojë e përfaqësimit të MASHT-it.

Klan Kosova e ka pasur të pamundur të marrë një version të Cakajt për rastin e Brukselit, por edhe për përgjegjësitë e saj në ministri, pasi ajo nuk është përgjigjur në asnjë thirrje të televizionit.

Ndërkohë, as zyrtarët e MASHT-it, nuk kanë pranuar të komentojnë rastin e as të japin të tjera komente për punën e zyrtares së lartë të trajnimeve.

Igballe Cakaj, u kap nga autoritetet belge duke vjedhur në një qendër tregtare gjatë një vizite në Bruksel.

Ministria e Arsimit sipas njoftimeve ka pezulluar nga puna atë pasi kreu veprën penale gjatë vizitës së saj zyrtare në kryeqendrën e Bashkimit Europian.

Cakaj mësohet se në një qendër tregtare kishte hyrë për të blerë rroba, një pjesë të së cilave e kishte paguar, por pjesën tjetër dyshohet se e kishte fshehur në çantë.

Gjatë atij momenti, zyrtarja e Ministrisë së Arsimit në Kosovë, Igballe Cakaj, ishte përcjellë vazhdimisht nga sigurimi i dyqanit dhe gjithçka është kapur gjithashtu nga kamerat e sigurisë.