Brenda 6 muajsh, eksperti i pavarur që do të kontraktojë qeveria do të dalë një një analizë të detajuar nëse kostot e vendosura ndaj kompanive ajrore nga koncesionari i Rinasit janë të drejta apo jo.

Autoriteti i Aviacionit Civil pranon në përgjigje zyrtare për televizionin Klan se një nga qëllimet e rishikimit të pavarur ekonomik të kësaj kontrate është edhe ulja e tarifave nga ana e aeroportit të Tiranës.

“Procedura për përzgjedhjen e një këshilltari të përshtatshëm financiar, të pozitës ekonomike të koncensionarit, ka filluar dhe pritet që të rezultojë me një raport që një ndër zgjidhjet e veta mund të përfshijë edhe uljen e tarifave të ofrimit të shërbimit”.

Televizioni Klan ka mësuar se mosmarrëveshjet e shoqërisë që operon në aeroportin e Rinasit nuk mbeten vetëm te çështja e tarifave që janë dy deri në tre herë më të larta se aeroportet e vendeve fqinje, por edhe te detyrimet që ka konçesionari ndaj buxhetit të shtetit. Eksperti ekonomik do të sqarojë edhe çështjen e balancimit të të ardhurave të konçesionarit, për të dhënë një qëndrim përfundimtar se sa duhet t’i paguajë buxhetit të shtetit”.

Nga ana tjetër, Aviacioni Civil sqaron se është në bisedime edhe me një kompani tjetër për të rivënë në punë aeroportin e Kukësit. Përveç procedurës që ka filluar nga qeveria për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, është ngritur një grup për të vlerësuar edhe interesin për pistën në verilindje të vendit. Në sqarim thuhet se “të dy këto projekte janë në procedurë dhe do të avancojnë me ritme të shpejta”.

Tv Klan