Fundjava ka sjellë një fluks të shtuar udhëtarësh në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Botës, ku janë krijuar radhë të gjata automjetesh në të dyja drejtimet.

Udhëtarët po përballen me pritje gjatë kryerjes së kontrolleve kufitare, ndërsa lëvizjet e shumta lidhen kryesisht me sezonin turistik, por edhe me qytetarët që udhëtojnë drejt Greqisë ose rikthehen në Shqipëri.

Gjatë 24 orëve të fundit, në këtë pikë kufitare kanë hyrë dhe kanë dalë rreth 10 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Sipas burimeve nga pika e kalimit kufitar, fluks ka më shumë në hyrje se sa në dalje.

Në anën shqiptare janë në funksion katër sportele, ndërsa në palën greke kontrolli po kryhet përmes dy sporteleve.

Qafë Bota mbetet një nga pikat kryesore të lëvizjes mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe gjatë sezonit veror përballet me një rritje të ndjeshme të numrit të udhëtarëve.