Gazetari sportiv Bujar Qesja është një emër mjaft i njohur jo vetëm për botën e sportit, por edhe në Durrës e më gjerë.

E ndërsa pa përtim shkruan vazhdimisht për figurat e njohura të sportit, ai nuk lë jashtë vëmendjes edhe njerëzit e zemrës.

Me fjalë shumë të ndjera ai i ka kushtuar disa rradhë shoqes së tij të jetës, Kostandinës, që sot feston ditëlindjen.

“Nëse do ta konsideroja me fat veten time, qoftë edhe njëherë në jetë, kjo je ti dashuria ime e pazëvëndësueshme. Dhe kjo dashuri, ti e din mirë Kostandina ime, nuk lidhet nga oratoria dhe fjalët e bukura, qoftë të vendosura në konturet e këtij urimi”, shkruan ndër të tjera Qesja në postimin e tij në Facebook.

Postimi i plotë i gazetarit Bujar Qesja:

Urimi im në ditën tënde Kostandina

1 korriku, nuk është thjesht dita e parë e muajit, apo një formalitet kalendarik. Për mua, është shumë më shumë se kaq. Gjysma e zemrës time, Kostandina Ngresi (Qesja) ka ditëlindjen. 64 vite të shkuara, në Durrës lindi një vajzë, që Zoti u përkujdes në maksimum, duke më orjentuar që kjo është jeta jote, duke nisur nga 27 marsi i vitit 1977. Dhe Zoti është Zot dhe si krijuesi ynë, për çdo gjë ka të drejtë. 
Nëse do ta konsideroja me fat veten time, qoftë edhe njëherë në jetë, kjo je ti dashuria ime e pazëvëndësueshme. Dhe kjo dashuri, ti e din mirë Kostandina ime, nuk lidhet nga oratoria dhe fjalët e bukura, qoftë të vendosura në konturet e këtij urimi. Nuk dua të bie shumë në romantizëm, as edhe në sentiment, por ajo që dua të shpreh me fjalët më të sinqerta, më të ndjera, më të prekshme nga shiprti dhe zemra ime është, të lutem për një jetë sa më të mirë tënden, sa më të thjeshtë, por të bukur, aktive dhe sa më pranë të dashurve të tu, të gjallë dhe të freskët si vetë ujët e kristalta të një burimi.
Ta gëzosh këtë ditë të bekuar, duke mbetur përjetësisht së bashku!

Me shumë dashuri
Bujari

Durrës: 1 korrik 2018