Ekspertët e integrimit evropian vlerësojnë se këtë vit mund të merret vendimi për heqjen e vizave për kosovarët me Bashkimin Evropian, mirëpo gjasat e mëdha janë që implementimi të shtyhet prej 1 korrikut 2019, përkatësisht pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të planifikuara për në maj 2019. Ndonëse para tetë vjetësh (2010) krerët e institucioneve të Kosovës nisën zotimet për liberalizimin e vizave, një gjë e tillë ende nuk është realizuar.

Përkundrazi, Kosova aktualisht është në pritje të publikimit të rekomandimit të Komisionit Evropian (KE), i cili do të tregojë nëse është përmbushur kriteri i luftës ndaj krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë ditës së djeshme është shprehur optimiste se liberalizimi i vizave do të finalizohet përgjatë këtij viti.

Sipas saj, rekomandimi do të jetë pozitiv dhe do të publikohet më së largu në javën e parë të muajit të ardhshëm (korrikut). Por ekspertët e procesit të integrimit konsiderojnë se gjasat janë shumë të vogla që liberalizimi të ndodhë përgjatë këtij viti. /Zeri.info