Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini kanë rënë dakord për një kohë dhe vend për të realizuar takimin e nivelit të lartë midis presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin. Kështu shkruajnë mediat ndërkombëtare që citojnë një zyrtar rus.

Vendimi vjen pas bisedimeve midis presidentit rus dhe këshilltarit të sigurimit kombëtar të SHBA-ve, John Bolton. Detajet e takimit shumë të parashikuar do të shpallen të enjten, u tha gazetarëve këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit Yuri Ushakov.

Takimi pritet të zhvillohet në mes të korrikut, kur Trump do të jetë në Evropë për vizitat e planifikuara më parë në Belgjikë dhe Britani. Ai ka planifikuar të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në 11 dhe 12 korrik në Bruksel dhe do të vizitojë Britaninë më 13 korrik.

Por, pavarësisht se dihet që takimi do të mbahet në një “vend të tretë”, Peskov nuk pranoi të komentojë mbi lajmet se një takim Trump-Putin mund të zhvillohet në Vienë ose Helsinki, përcjell GSh.

Samiti Trump-Putin do të ishte takimi i parë i dy presidentëve që nuk do të zhvillohet në kuadër të një takimi më të gjerë ndërkombëtar. Ky takim mund të errësojë takimin e nivelit të lartë të Korrikut të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke ngritur pyetje të reja rreth angazhimit të Trump në aleancat tradicionale të Amerikës.