Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri nuk bënë asgjë të gabuar. Festimi i golave të tyre gjatë fitores së Zvicrës në Kupën e Botës kundër Serbisë duke kryqëzuar gishtat e tyre të mëdhenj dhe duke i shtrirë gishtat e tjerë për të bërë duart e tyre të duken si një shqiponjë me dy koka e cila është në flamurin shqiptar, ishte shprehje e gëzimit për suksesin dhe krenarinë e të qenit ‘Shiptari’, një term nënçmues i përdorur nga serbët për çdo shqiptar etnik të Kosovës.

Në Serbi, një vend i njohur për mungesën e tolerancës ndaj shqiptarëve, festimet e Shaqirit dhe Xhakës janë quajtur «primitive», «armiqësore», «fyese» dhe «ofenduese». Shumë serbë ndiheshin të tërbuar, jo vetëm nga humbja e ndeshjes me Zvicrën nga golat e dy djemve me origjinë shqiptare nga Kosova, por nga simboli i shqiponjës me dy koka të bërë nga lojtarët.

Për serbët, kjo ishte «me i qitë kripë plagës», zhgënjimi i pakontrolluar dhe gjuha e urrejtjes drejtuar dy lojtarëve kanë vërshuar tabloidet serbe, mediat kryesore dhe rrjetet sociale.

Familjet e lojtarëve, si shumë familje të tjera etnike shqiptare nga Kosova, u detyruan të largoheshin nga atdheu gjatë sundimit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe fushatës së tij për të spastruar etnikisht Kosovën. Vetëm gjatë dy viteve të fundit të luftërave të Millosheviqit, më shumë se 800 mijë shqiptarë u detyruan të largoheshin nga Kosova për shkak të shtypjes nga njësitë policore dhe ushtarake të Serbisë, anëtarët e të cilëve kryen qindra krime kundër civilëve. Është vlerësuar se rreth 1,5 milionë shqiptarë të Kosovës janë zhvendosur gjatë viteve 1990 si rezultat i veprimeve të Serbisë.

Familja e Shaqirit u largua nga Kosova pasi babai i tij u lirua nga një burg serb, ku ai ishte mbajtur si i burgosur politik për vite dhe ishte rrahur nga policia serbe. Familja e Xhakës u largua nga Kosova dhe u vendos në Basel në Zvicër, ku ka lindur ky lojtar. Zemërimi i shkaktuar nga gjestet simbolike të lojtarëve tregon të njëjtën botëkuptim të vjetër serb – ne dhe vetëm ne kemi të drejtë të shprehim emocionet tona, në çfarëdo mënyre që ne e gjykojmë të përshtatshme, na lejohet të dënojmë sjelljet që ne dhe ne vetëm i konsiderojmë të papërshtatshme. Të gjithë të tjerët janë armiq, që i urrejnë serbët. Duhet të jetë e vështirë për të gjithë ata njerëz që janë ende të mërzitur për shkak të gjesteve të Xhakës dhe Shaqirit që të jetojnë në atë që mund të jetë vetëm ferri i tyre i brendshëm, plot urrejtje dhe racizëm. Por ne nuk duhet të shprehim «mirëkuptim» për ta sepse ka më shumë mundësi që ata janë viktimat e dekadave të propagandës antishqiptare që sundon çdo cep të sferës publike serbe.

Problemi është se zemërimi po kontribuon në shkatërrimin e të paktën disa prej proceseve pajtuese midis serbëve dhe shqiptarëve. Kjo është e mirë vetëm për ata që duan ndarje të mëtejshme, kështu që elitat politike nacionaliste në të dy anët ndoshta janë të kënaqur nga kjo kthesë e ngjarjeve në Kupën e Botës.

Ndërkohë, FIFA ka njoftuar se do të hetojë sjelljen e Xhakës dhe Shaqirit për të parë nëse ata «thyen rregullat mbi mesazhet politike dhe ofenduese». Kjo është një turp, sepse FIFA po i kërcënon lojtarët me ndëshkim të mundshëm nëse shfaqin simbolin e tyre kombëtar, diçka që vetëm fyen Serbinë, shtypësin e dy familjeve të dy djemve. FIFA gjithashtu ka vendosur të hetojë trajnerin e Serbisë, Mladen Krstajiç për komentet e tij ultranacionaliste rreth gjesteve të Shaqirit dhe Xhakës.

Krstajiq, një humbës shumë i lënduar, bëri thirrje që gjyqtari i lojës të vihet në bankën e të akuzuarve në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë «ashtu siç na kanë bërë neve [serbëve]». Në profilin e tij në Instagram, Krstajiq tha gjithashtu se serbët ishin përsëri «të dënuar nga drejtësia selektive». Kjo, natyrisht, u ndoq nga mosmiratimi i publikut serb – përkundrazi, komentet e Krstajiit morën vetëm lavdërime. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të kuptohet se jo të gjitha nacionalizmat në Ballkan janë të njëjta.
Nacionalizmi serb është i përhapur dhe normalizuar dhe nuk pranon asnjë dënim, përveç atyre që janë në shënjestër të tij.

Shpërthimet e fundit të urrejtjes në ndeshjet e futbollit në Shtutgart («Vrisni, masakroni, që shqiptarët të mos ekzistojnë më») dhe Vjenë («Thikë, tela, Srebrenica»), ose fakti që djali i presidentit serb është parë me huliganët me bluzën e veshur me sloganin «Kosova është Serbi», nuk do të dënohet apo «hetohet» nga FIFA apo dikush tjetër. Nacionalizmi është helmues për serbët gjithashtu, sepse nuk prodhon asnjë ndjenjë pozitive dhe mban prapa tranzicionin e Serbisë për t’u bërë një shoqëri demokratike dhe e hapur.
Madje edhe kur është një shprehje e «dashurisë për atdheun», shpeshherë është me urrejtje ndaj kombeve të tjera, të cilat, në mendjen e prishur të publikut tonë, ende po komplotojnë kundër nesh. Për më tepër, disa serbë janë hapur krenarë për ato që personifikojnë nacionalizmin tonë.

Këta njerëz janë më shpesh kriminelë lufte të cilët kanë qenë përgjegjës për krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe fushata spastrimi etnik në Bosnje dhe Kosovë. Fotografitë e këtyre burrave, heronjve kombëtarë të Serbisë, mund të shihen në këmisha, flamuj dhe kapele gjatë gjithë ndeshjeve të ekipit kombëtar të futbollit.

Ekziston edhe përshëndetja serbe me tre gishta, që serbët me krenari e përdorin gjatë gjithë kohës (edhe pse përdorej edhe nga nazistët dhe nga ustashët kroatë). Është parë gjithashtu si një gjest që nuk mund të ofendonte askënd. Më shumë se 100 mijë vetë në Bosnjë dhe të paktën 11 mijë shqiptarë të Kosovës u vranë nga ajo që simbolizojnë këta tre gishta. Ende ka rreth 10 mijë njerëz që janë të zhdukur nga luftërat të cilat Serbia i udhëhoqi nën Millosheviqin dhe përshëndetjen me tre gishta. Por kush mund të jetë i ofenduar nga kjo?

Në të njëjtën kohë, njerëz të shumtë në komente në tabloidet e lajmeve dhe në rrjetet sociale i quajtën Shaqirin dhe Xhakën «provokatorë primitivë», «dashnorë dhie, si të gjithë shqiptarët», «majmunë» e kështu me radhë. Dhe për çfarë saktësisht? Pse ata kanë shfaqur një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit të tyre kombëtar.

Kryetari i Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve në Serbi, Slavisa Lekiq, nuk mundi të frenojë veten nga postimi i një përgjigje të zemëruar: «Shaqiri dhe Xhaka nuk duhet të jenë justifikim që ju të jeni një copë m*** gjithashtu!» Përveç dëbimit të qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova, pasi Millosheviqi solli një shtet policor atje në fillim të viteve 1990, administrata e Beogradit shkatërroi dëshmi të lindjes dhe shtetësisë së shqiptarëve, duke i lënë ata pa shtetësi dhe pa ndonjë dëshmi identiteti, me përjashtim të shqiponjës me dy koka në zemrat dhe mendjet e tyre.

Shumë nga këta njerëz gjetën jetë të re jashtë vendit – dhe nuk ka asgjë të keqe me ta që të shprehin krenarinë e tyre për atë që janë. Por qëllimi i nacionalistëve serbë është të barazojnë gjestet e Shaqirit dhe Xhakës me shfaqjet e serbëve në Shtutgart apo Vjenë, kështu që kryqëzimi i gishtërinjve të mëdhenj të duarve dhe kapja e gishtërinjve të tjerë mund të shihet si ekuivalente e thirrjes publike për të masakruar një grup të tërë etnik. Kjo farsë nuk bën tjetër veçse normalizimin e mëtejshëm të propagandës dhe nacionalizmit anti-shqiptar të Serbisë që ka kushtuar me jetën e shumë njerëzve të pafajshëm.

Racizmi serb ndaj shqiptarëve është rritur mjaft mirë. Ithtarët kryesorë të saj, siç janë Dobrica Qosiq apo Sllobodan Millosheviq, nëse do të ishin gjallë, do të ishin mjaft të kënaqur. Ata (dhe shumë të tjerë) filluan ciklin vicioz të urrejtjes ndaj shqiptarëve në fillim të viteve 1980, dhe kjo armiqësi vazhdon edhe sot.

Nga ana tjetër, shprehja e «ndjenjave» serbe duke fyer viktimat e agresionit të Serbisë në vitet 1990, shpërthimet publike të racizmit të pabesueshëm kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve, është pjesë e kulturës së përditshme serbe. Nuk ka qenë kurrë një dënim i përhapur i kësaj sjellje dhe, me sa duket, kurrë nuk do të jetë, sepse kurrë nuk është denoncuar ose dënuar nga shteti serb, zyrtarët e saj, kryetarët ose kryeministrat e saj, elitat intelektuale dhe mediatike. Pikërisht e kundërta, në të vërtetë.

Ne jetojmë në një realitet që nuk njeh as kontekst, as histori dhe as fakte, duke rezultuar në mendimin e gjerë se «të gjithë nacionalizmat e Ballkanit janë të njëjtë». Nëse kjo ishte e vërtetë (dhe nuk është), atëherë Shaqiri dhe Xhaka kanë të drejtë të nderojnë shqiponjën e tyre aq sa edhe çdo serb të ngrejë përshëndetjen e tyre me tre gishta. Pra, lini të qetë Shaqirin dhe Xhakën pasi nuk keni një sulm paniku moral kur Aleksandar Kolarov ngre tre gishtat e tij.

Për shoqërinë serbe, simboli i shqiponjës së bardhë me dy koka, të stolisur me bizhuteri dhe kryq, ka qenë më e rrezikshme dhe më e dëmshme sesa një gjest që simbolizon një shqiponjë të zezë me dy koka. Nën shqiponjën tonë, një numër i madh i njerëzve të pafajshëm kanë humbur jetën dhe një vend është shkatërruar, nën të, ne ende sulmojmë histerikisht të tjerët me ndjenjën se ne jemi ata që po sulmohemi. Shqiponja jonë me dy koka i di vetëm ndjenjat tona dhe të vërtetën tonë, ajo shpreh dashurinë e saj për ne në urrejtjen e saj për të tjerët.

*Marrë nga Dialogplus.ch/Millosh Qiriq është një politolog, edukator, shkrimtar, aktivist i mediave dhe i të drejtave të njeriut.