E ardhmja e mbrojtësit shkodran, Esin Hakaj, do të vazhdojë të jetë tek Teuta, pavarësisht se zërat e merkatos e lidhën me një transferim të mundshëm jashtë vendit. Një ditë më parë u raportua se në drejtim të shkodranit ka ardhur një ofertë nga Zvicra dhe më konkretisht nga Lugano, por këto zëra, drejtuesit e klubit durrsak i hedhin poshtë.

“Nuk ka asgjë të vërtetë për Hakajn, por vetëm thashetheme. Në klub nuk ka ardhur asnjë ofertë për të”, tha një burim i klubit. Mbrojtësi shkodran ishte një nga lojtarët më të spikatur të sezonit të kaluar, ndërsa ky ishte sezoni i parë për të si titullar i padiskutueshëm.

Ish-mbrojtësi i majtë i Partizanit ka edhe një vit kontratë me bregdetarët dhe e ardhmja e tij duket në Durrës, pasi trajneri Bledi Shkëmbi e shikon si pjesë të rëndësishme të projektit të tij. 21-vjeçari luajti 29 ndeshje me Teutën në edicionin e shkuar, ku shënoi edhe një gol. Më herët, lojtari pohoi se nuk ka arsye që të largohet nga Teuta, por nuk e mohoi se dëshiron të luajë jashtë vendit.