Edhe këtë të enjte Kuvendi ka nisur mes debatesh dhe akuzash. Kreu i opozitës Lulzim Basha nuk ka respektuar kohën e dhënë nga Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi duke shkaktuar kështu debate në sallë. Basha tha se çelja e negociatave është shumë larg, pasi ka ende vende skeptike dhe se nga vizita e tij e fundit në Gjermani ka ende pikëpyetje nëse Shqipëria do të marrë dritën jeshile.
“Ka katër javë që skandali i vëllezërve Xhafaj, njëri kokë e krimit dhe tjetri që e mbron atë ka pushtuar vëmendjen e opinionit publik dhe ndërkombëtarëve. Këtë të hënë kam qenë në Berlin i ftuar nga autoritet më të larta gjermane për të diskutuar shqetësimin e tyre se situata politike në vend është shumë keq.
6 javë pas largimit të Edi Ramës nga Berlini jo vetëm që nuk është përmirësuar por ka shkuar më keq. Në këto kushte është e paimagjinueshme që Bundestagu apo çdo institucion tjetër të rekomandojë hapjen e negociatave”.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se në dijeninë e tij, qeveria gjermane do të votojë Pro. Pas mosbindjes së Bashës, për tu larguar nga foltorja, Ruçi mbylli senanën me 10 minuta.





