Irani ka deklaruar se do të presë përgjigjen zyrtare të Shteteve të Bashkuara, pasi Presidenti Donald Trump refuzoi një propozim për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për anijet tregtare brenda shtatë ditësh.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Teherani do të presë që ndërmjetësuesit t’i përcjellin qëndrimin përfundimtar të palës amerikane, përpara se të marrë një vendim.

Deklarata erdhi pasi Trump e cilësoi propozimin iranian si të papranueshëm. Presidenti amerikan tha se SHBA-ja kërkon një marrëveshje që do të mundësonte hapjen e menjëhershme të ngushticës. Sipas Araghchi, kushtet e propozuara nga Irani për rihapjen e Hormuzit janë të njëjtat që ishin përfshirë në një memorandum mirëkuptimi mes dy vendeve në qershor.

Irani thotë se çështja e rihapjes së ngushticës dhe përfundimit të armiqësive u diskutua gjatë negociatave të zhvilluara në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët ujore më të rëndësishme për transportin global të energjisë, përmes së cilës kalon zakonisht rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz. Në përpjekje për të ulur tensionet, Omani, që ka luajtur rolin e ndërmjetësit mes SHBA-së dhe Iranit, u ka bërë thirrje palëve të vazhdojnë dialogun dhe të bashkëpunojnë për garantimin e lundrimit në këtë rrugë strategjike.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, e mbështeti vendimin e Trump për të refuzuar propozimin iranian, duke e cilësuar atë si të pamjaftueshëm.

Edhe Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se presioni ekonomik i SHBA-së po ndikon ndaj Iranit, duke përmendur kufizime në sektorin bankar dhe atë të transportit. Megjithatë, efektiviteti i sanksioneve mbetet i diskutueshëm, veçanërisht për shkak të qëndrimit të partnerëve kryesorë tregtarë të Iranit, mes tyre Kina, blerësja më e madhe e naftës iraniane.