Policia e Tiranës ka goditur disa grupe të dyshuara për shpërndarje të lëndëve narkotike pranë shkollave dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Operacioni, i koduar “Shkolla të Pastra”, është finalizuar pas katër muajsh hetime. Në kuadër të tij janë identifikuar 52 persona, ndërsa për 31 prej tyre janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”. Për 14 persona të tjerë vijon puna për kapjen e tyre.

Gjatë fazës hetimore janë arrestuar edhe 7 shtetas të tjerë.

Sipas Policisë, grupet e identifikuara dyshohet se shisnin lëndë narkotike pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe në zona të ndryshme të Tiranës. Në disa raste, shpërndarja e drogës dyshohet se bëhej përmes monopatinave, taksive dhe shërbimeve delivery, me qëllim shmangien e vëmendjes së policisë.

Autoritetet kanë sekuestruar mbi 1 kilogram heroinë, më shumë se 1.2 kilogramë kokainë dhe 685 gramë Cannabis Sativa.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gjithashtu një pistoletë, 90 fishekë, dy peshore elektronike, 12 automjete dhe 35 telefona celularë, së bashku me sende të tjera të kundërligjshme.

Njoftimi: 

Finalizohet pas 4 muajsh hetime, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “SHKOLLA TË PASTRA”.

Goditen disa grupe që shisnin lëndë narkotike në afërsi të shkollave.

Identifikohen 52 shtetas, pjesëtarë të grupeve, të cilët, të veçuar ose në grupe, shisnin lëndë narkotike, të llojeve të ndryshme, pranë shkollave dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Ekzekutohen 31 masa sigurie “Arrest në burg” për pjesëtarë të grupeve.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 14 shtetasve të tjerë.

Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar 7 shtetas.

Gjatë periudhës hetimore dhe gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë janë sekuestruar 1 kg e 75 gramë heroinë, 1 kg e 265 gramë kokainë, 685 gramë Cannabis Sativa, 1 armë zjarri pistoletë, 90 fishekë, 2 peshore elektronike, 12 automjete, 35 telefona celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Në kuadër të operacionit të koduar “SHKOLLA TË PASTRA”, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg” për 31 shtetas dhe konkretisht:

G. J., 48 vjeç; E. B., 34 vjeç; E. O., 48 vjeç; B. K., 41 vjeç; E. V., 27 vjeç; D. Sh., 30 vjeç; A. K., 32 vjeç; E. H., 29 vjeç; J. N., 29 vjeç; Sh. Ç., 45 vjeç; E. H., 39 vjeç; E. M., 21 vjeç; F. P., 22 vjeç; K. M., 22 vjeç; R. T., 19 vjeç; K. M., 33 vjeç; I. D., 35 vjeç; F. Xh., 36 vjeç; B. M., 22 vjeç; I. A., 21 vjeç; A. L., 21 vjeç; S. A., 31 vjeç; E. T., 49 vjeç; A. P., 34 vjeç; V. M., 43 vjeç; D. M., 52 vjeç; E. P., 33 vjeç; N. Sh., 32 vjeç; A. K., 37 vjeç; T. A., 24 vjeç dhe V. R., 23 vjeç.

Gjatë fazës hetimore janë ndaluar dhe 7 shtetas të tjerë, konkretisht shtetasit K. C., G. M., Zh. P., E. T., D. Sh., D. F. dhe M. T.

Ndërkohë, 14 shtetasit e tjerë të identifikuar nga hetimet, si pjesë e këtyre grupeve, janë shpallur në kërkim dhe, për arsye se hetimi vijon, nuk bëhen me dije gjeneralitetet e tyre. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Nga hetimet është dokumentuar se këto grupe shisnin lëndë narkotike pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme dhe në zona të ndryshme të Tiranës.

Në disa raste, për të shmangur vëmendjen e shërbimeve policore në terren, lënda narkotike shpërndahej nëpërmjet monopatinave, si dhe shërbimeve taxi dhe delivery.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Tiranës është e fokusuar maksimalisht në garantimin e sigurisë në shkolla dhe në luftën ndaj fenomeneve kriminale, si dhe siguron prindërit dhe qytetarët se do të intensifikojë kontrollet dhe hetimet për parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale që cenon sigurinë e nxënësve.