Ngrohja e motit ka rritur në vazhdimësi kërkesën e tregut për peshk të freskët. Por ndërsa kërkesa nga restorantet në Durrës është e madhe për prodhime deti të freskëta, ngrohja e motit është kthyer në “armikun” e peshkatarëve durrsakë.
Ngrohja e ujit të detit shtyn drejt thellësive peshkun në verë, duke e bërë edhe më të vështirë gjuetinë e tij nga peshkatarët.
Këtë shqetësim e përcjell Dispeçeri i portit të peshkimit, Bujar Bala, i cili pas njohjes me situatën e anijeve të dala në det dhe njoftimit se këto ditë ka pasur prodhim të mirë me peshk sardele dhe karkalec, shpreh shqetësimin se temperaturat e ngrohta bëjnë që masat e rezervave detare të peshkut të shtyhen më në thellësi dhe në këto distanca jo të gjitha anijet e peshkimit kanë kapacitete teknike për të peshkuar.
Bala bën me dije se janë rreth 60 % e peshkatoreve që mund të gjuajnë në det te hapur. Pavarësisht nga kjo shifër, shumë anije kanë probleme teknike dhe jo të gjitha dalin në det këto ditë. Peshkatarë të ndryshëm kanë shprehur shqetësim në rritje për mungesën e një kantieri detar për riparimin e anijeve të peshkimit.
K.H.





